Kriza politike e brendshme në Kosovë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe protestat e vazhdueshme në Serbi kanë lënë në hije dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, vlerësojnë njohësit e procesit. Megjithë thirrjet e presidentit francez Emmanuel Macron për rëndësinë e tij, pritjet për përparim drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve mbeten të ulëta.
Bashkimi Evropian thotë se po punon me të dyja palët për një normalizim të plotë të marrëdhënieve Kosovë–Serbi dhe se takimi i radhës varet nga gatishmëria e tyre. Ata theksojnë se përmbushja e obligimeve në kuadër të dialogut është e lidhur drejtpërdrejt me perspektivën e anëtarësimit në BE.
“BE-ja është e gatshme të presë raundin e ardhshëm të bisedimeve sapo palët të sinjalizojnë gatishmërinë, përfshirë edhe në nivelin më të lartë,” thuhet në përgjigjen e bllokut, duke kujtuar se takimi i fundit trilateral në nivel kryenegociatorësh u mbajt në qershor.
Profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, thotë se dialogu ka ngecur gjatë vitit 2025 edhe për shkak të mungesës së institucioneve legjitime në Kosovë, pasi qeveritë në detyrë nuk mund të marrin vendime të mëdha pa mandat të plotë politik.
Tensionet janë përshkallëzuar pas arrestimit në Kosovë të zyrtarit serb Igor Popoviq për nxitje të urrejtjes etnike, ndërsa Serbia më herët arrestoi ish-zyrtarin policor shqiptar Arbnor Spahiu, lidhur me sulmin e armatosur në Banjskë, ku mbetën të vrarë tre sulmues serbë. BE-ja ka kërkuar shmangien e veprimeve të njëanshme që mund të rrisin tensionet.
Edhe pse ekziston hapësirë për takim të ri në Bruksel, Arifi shprehet skeptik për ndonjë zhvillim konkret drejt zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel (2023) dhe Ohër, duke akuzuar Serbinë për mospërmbushje të obligimeve dhe duke kërkuar nga BE-ja që ta sanksionojë.
Serbia tashmë ka njoftuar Brukselin se nuk do të zbatojë disa pika të Marrëveshjes Bazë, të cilat sipas institucioneve të Kosovës nënkuptojnë njohje de facto të Kosovës. Nga shkurt 2025, dialogun e udhëheq emisari i ri evropian Peter Sorensen, i cili megjithë disa takime të zhvilluara nuk ka arritur të prodhojë rezultate konkrete deri më tani.

