Britania akordon 100 milionë paund për të goditur emigracionin e paligjshëm, rritet presioni ndaj qeverisë Starmer

by engel

Qeveria britanike po përballet me presion të madh mbi çështjen e emigracionit të paligjshëm, pjesë e një fenomeni të gjerë evropian që mban në vëmendje qeveritë nga Berlini në Athinë. Deri më 31 korrik, 25,436 emigrantë të parregullt kishin kaluar Kanalin Anglez drejt brigjeve britanike, një rekord i ri krahasuar me vitet e kaluara.

Në këtë sfond, Ministria e Brendshme njoftoi sot se do të ndajë 100 milionë paund shtesë për të luftuar fenomenin, me synim goditjen e rrjeteve të kontrabandës së njerëzve dhe uljen e numrit të kalimeve të paligjshme nga Franca drejt Anglisë.

banner

Fondi do të përdoret për ta fuqizuar Agjencinë Kombëtare të Krimit (NCA) me 300 oficerë të rinj, nga 100 që ka aktualisht, si dhe për të përmirësuar teknologjinë dhe pajisjet që përdoren në hetimet kundër bandave të trafikut. Në total, sipas drejtorit të operacioneve Rob Jones, aktualisht janë hapur 91 hetime që lidhen me rrjetet e kontrabandimit të emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar.

Sekretarja e Brendshme Yvette Cooper deklaroi se masa do ta ndihmojë Britaninë e Madhe “të gjurmojë dhe të shpërbëjë bandat e trafikimit”, të cilat – siç tha ajo – “vazhdojnë të përsosin metodat për të maksimizuar fitimet, pavarësisht rrezikut që u shkaktojnë jetëve njerëzore”.

Por reagimet politike nuk kanë munguar. Konservatorët e cilësuan nismën si një “përpjekje të dëshpëruar për të marrë vëmendje mediatike”, ndërsa Nigel Farage nga Reform UK e denoncoi si “shpenzim të kotë të parave të taksapaguesve”. Në terren, protestat kundër strehimit të emigrantëve në hotele janë shtuar, me përplasje të regjistruara gjatë fundjavës në Londër, ku policia arrestoi një person në Canary Wharf pas tentativave për të çarë gardhin e një hoteli që pret azilkërkues.

Kjo situatë vjen vetëm një muaj pasi Britania dhe Franca miratuan parimisht një model të ri “një brenda, një jashtë”, që parasheh kthimin e emigrantëve të paligjshëm të kapur në Kanal përsëri në Francë, ndërsa në këmbim, Londra do të pranojë aplikantë të ligjshëm për azil. Kryeministri Keir Starmer ka thënë se detajet operative të marrëveshjes do të mbeten konfidenciale për të mos rrezikuar zbatimin e saj.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy