Të hënën pritet depërtimi i një cikloni të fuqishëm në territorin e Kosovës, i shoqëruar me masa të ftohta ajrore që vijnë nga veriperëndimi i kontinentit evropian. Këto kushte atmosferike do të ndikojnë dukshëm në motin gjatë gjithë ditës.
Në orët e para të mëngjesit parashikohen reshje të izoluara dhe shkarkesa rrufesh, kryesisht në Rrafshin e Kosovës, me theks të veçantë në rajonin e Anamoravës.
Gjatë ditës priten zhvillime të shpejta dhe të fuqishme të vranësirave, të cilat lokalisht do të sjellin rrebeshe intensive shiu, breshër dhe stuhi me rrufe, disa prej tyre potencialisht të rënda. Pavarësisht kësaj, në periudha të caktuara do të ketë edhe intervale me diell, veçanërisht para dhe pas kalimit të stuhive.
Era do të fryjë me drejtime të ndryshme dhe në momente të caktuara pritet të arrijë shpejtësi prej 20 deri në 65 kilometra në orë, duke ndikuar në rritjen e ndjesisë së freskët.
Temperaturat do të bien ndjeshëm krahasuar me ditët e fundit. Vlerat minimale do të sillen nga 16 deri në 19°C, ndërsa ato maksimale nga 22 deri në 29°C. Rënia më e theksuar do të ndodhë gjatë periudhave me reshje intensive.