Autoritetet shqiptare janë përfshirë në një operacion të gjerë kërkimi për një pasagjer të zhdukur nga trageti ndërkombëtar “AKKA”. Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit, në bashkëpunim me Forcat e Armatosura, Policinë Kufitare dhe autoritetet italiane, po zhvillon kërkime intensive në një segment të gjerë detar – nga Kepi i Stillos në jug deri në grykëderdhjen e Semanit në veri.
Operacioni përfshin mjete ajrore dhe detare të specializuara, përfshirë një dron TB2 dhe një helikopter UH-60 të Forcave Ajrore, si dhe një anije patrulluese P05 dhe një motor uji të Forcës Detare. Ndërkohë, Policia Kufitare ka angazhuar 4 mjete patrullimi me 13 efektivë.
Pavarësisht angazhimit të madh dhe koordinimit të ngushtë mes institucioneve shqiptare dhe italiane, kërkimet nuk kanë dhënë ende rezultat. Shtetasi i zhdukur vijon të mbetet i paidentifikuar dhe kërkimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, në varësi të kushteve detare dhe zhvillimeve të reja.
Operacioni po zhvillohet në përputhje të plotë me protokollet ndërkombëtare të kërkim-shpëtimit në det.