Alternativa zyrtarizon Reshat Nurbojën kandidat për kryetar të Pejës

by engel

Partia Alternativa, e udhëhequr nga deputetja Mimoza Kusari-Lila, ka zyrtarizuar të martën kandidatin e saj për kryetar të Komunës së Pejës në zgjedhjet e ardhshme lokale, duke konfirmuar se garën do ta prijë kryetari i degës së partisë në Pejë, Dr. Reshat Nurboja.

Përmes një njoftimi publik, Kusari-Lila ka bërë të ditur se Alternativa e nis garën për pushtetin lokal në Pejë me Nurbojën, të cilin e përshkroi si figurë me integritet të lartë, përvojë të gjerë institucionale dhe vizion të qartë zhvillimor për qytetin.

banner

“Reshat Nurboja është pjesë e Alternativës që nga themelimi, ekspert i shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe një emër me përkushtim katërdekadësh në shërbim të institucioneve dhe qytetarëve. Ai sjell një përvojë të gjithanshme për t’i dhënë Pejës vizion, rritje dhe drejtim të ri”, ka shkruar Kusari-Lila.

Nurboja ka mbajtur detyra të ndryshme publike ndër vite, përfshirë atë të këshilltarit politik të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, zëvendësministrit në Qeverinë Kurti I, si dhe pozita në nivelin lokal si drejtor i administratës komunale dhe drejtor i Teatrit “Istref Begolli” në Pejë.

Po ashtu, ai ka një karrierë të gjatë akademike si profesor universitar dhe autor librash në fushën e shkencave politike e publicistikës.

“Me angazhime që shtrihen nga politika te arsimi dhe kultura, Reshati sjell një profil të rrallë që do t’i ofrojë Pejës një alternativë serioze për qeverisje gjithëpërfshirëse”, thuhet në njoftimin e Alternativës.

Partia ka uruar Nurbojën për sfidën e re, duke theksuar se synimi i saj është të sjellë “vizion dhe dinamizëm të ri” në qeverisjen lokale të Pejës, përmes një platforme me theks në zhvillim, transparencë dhe përfaqësim të barabartë të të gjitha komuniteteve.

Zgjedhjet lokale pritet të mbahen me 12 tetor, ndërsa gara në Pejë tashmë po merr formë me rreshtimin e kandidatëve të parë nga subjektet politike.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy