Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) i ka bërë thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të respektojë vendimin e gjykatës dhe të pezullojë menjëherë kalimin e detyrueshëm të bizneseve në tregun e hapur të energjisë elektrike.
Në reagimin e tyre, LBK thotë se ky vendim është marrë pa konsultim me komunitetin e bizneseve dhe se përbën një rrezik serioz për ekonominë e vendit. Ata e cilësojnë qasjen e ZRRE-së, të mbështetur – siç thuhet – nga Qeveria, si një hap strategjikisht të gabuar, që nuk përputhet me interesat e sektorit privat.
“Shprehim keqardhje që një vendim kaq i rëndësishëm është marrë pa dialog, pa analizë të ndikimit ekonomik dhe pa një plan kalimtar që do të siguronte furnizim të përballueshëm me energji për bizneset”, thuhet në deklaratën e LBK-së.
Sipas tyre, edhe gjykata kompetente ka urdhëruar pezullimin e këtij vendimi, duke bërë të pakuptimtë këmbënguljen e ZRRE-së për zbatimin e tij.
LBK kërkon rishikimin urgjent të vendimit dhe ndërmarrjen e hapave të nevojshëm për ndalimin e tij, deri në hartimin e një analize gjithëpërfshirëse në bashkëpunim me bizneset dhe institucionet përkatëse.
“Nevojitet transparencë, përgjegjësi dhe një qasje më e arsyeshme për një çështje kaq jetike për të ardhmen ekonomike të Kosovës”, përfundon reagimi.