Pas ndoshta një reflektimi të thellë që i kërkoi disa ditë – ndoshta për të gjetur fjalët e duhura, ndoshta për të pritur që të tjerët të flisnin më parë – ministrja e Jashtme Donika Gërvalla vendosi më në fund të përgëzojë Dua Lipën për festivalin Sunny Hill.
Me një postim në Facebook, shumë të vakët, ajo tha “Faleminderit, Dua!”, duke e shoqëruar me një tekst që tingëllon si një mirënjohje sa për sy e faqe.
Në një ton që i ngjan më shumë një raporti të punës se sa një përqafim publik për një yll botëror, Gërvalla vlerësoi kontributin e Duas për vendin, duke përmendur se “ke sjellë artistë, të rinj, dashamirë të muzikës nga gjithandej bota” – një zbulim që, me sa duket, i ka shpëtuar radarit institucional për disa ditë.
Ndërkohë që shefi i saj politik ka heshtur për këtë nagjarje madhështore kulturore, Gërvalla zgjodhi një qasje të rezervuar dhe të vonuar. Nuk pati emoji, nuk pati entuziazëm, por pati një “Qofsh gjithmonë kaq krenare për vendin tënd” – një fjali që tingëllon si një urim për një aktivitet të rëndomtë, jo si përgëzim për një festival që e ktheu Prishtinën në kryeqytet kulturor për disa ditë.
Në fund të fundit, më mirë vonë se kurrë!