Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, dhe ministri i Jashtëm Peter Szijjarto, kanë pritur në Budapest liderin e Republikës Sërpska në Bosnje, Millorad Dodik, në një takim që synon të shprehë mbështetjen e Hungarisë ndaj tij.
Lajmi u bë i ditur nga Szijjarto përmes një postimi në rrjetet sociale më 5 gusht. Dodik, i dënuar me një vit burg dhe i ndaluar nga Gjykata e Apelit në Bosnje për të ushtruar funksione publike për gjashtë vjet, është shpallur gjithashtu non grata nga Shtetet e Bashkuara. Ai ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe ka deklaruar se vendimi gjyqësor është politikisht i motivuar.
Orban, i njohur për qëndrimet e tij miqësore ndaj Moskës dhe kundërshtimin e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, publikoi fotografi nga takimi me Dodikun, duke e cilësuar atë si lider legjitim të Republikës Sërpska. “Hungaria nuk e pranon këtë vendim. Dodik është dënuar sepse nuk ka pranuar të pajtohet me kërkesat e Brukselit,” shkroi Orban në Facebook.
Szijjarto, nga ana e tij, paralajmëroi për rreziqet e ndërhyrjes së jashtme në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se “vullneti i njerëzve të rajonit duhet të respektohet” dhe se “ta vësh në dyshim atë rrezikon stabilitetin dhe paqen.”
Dodik, i cili më herët ka dekoruar Orbanin me çmimin më të lartë të Republikës Sërpska, ka deklaruar se nuk do ta zbatojë vendimin gjyqësor që e ndalon të mbajë poste politike. Sipas ligjeve të Bosnjës, dënimi me burg mund të zëvendësohet me gjobë.
Vitin e kaluar, Hungaria u angazhua të financojë projekte infrastrukturore dhe energjetike në Republikën Sërpska me vlerë 140 milionë euro, duke thelluar lidhjet politike dhe ekonomike me entitetin serb në Bosnje.