Autoritetet ukrainase kanë njoftuar se Rusia ka ndërmarrë një sulm të madh ajror në qytezën Lozova të rajonit të Harkivit, duke vrarë një person dhe plagosur dhjetë të tjerë, përfshirë dy fëmijë. Ky thuhet se është sulmi më masiv mbi këtë qendër transporti që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022.
Sipas kompanisë shtetërore të hekurudhave, Ukrzaliznytsia, sulmi ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në stacionin e trenit dhe infrastrukturën përreth. Një punonjës i hekurudhave është konfirmuar i vdekur, ndërsa katër të tjerë janë plagosur.
“Infrastruktura kritike, ndërtesat banesore dhe shtëpitë janë dëmtuar. Lozova ka përjetuar goditjen më të rëndë që nga nisja e luftës”, ka deklaruar kryetari i këshillit të qytetit, Serhiy Zelenskiy. Ai shtoi se si pasojë e sulmit, disa zona kanë mbetur pa energji elektrike dhe ujë.
Presidenti Volodymyr Zelensky bëri të ditur se Rusia ka përdorur mbi 25 dronë për të sulmuar objektet civile në Lozova, përfshirë një depo dhe stacion treni. Ndërkohë, Forcat Ajrore të Ukrainës bënë të ditur se gjatë natës kanë rrëzuar 29 nga 46 dronët e lëshuar nga Rusia në mbarë vendin, por pjesa tjetër ka goditur lokacione të ndryshme, përfshirë edhe një raketë balistike.
Pretendimet ukrainase nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur, ndërsa Moska nuk ka komentuar ende për këto zhvillime. Rusia vazhdon të mohojë se godet infrastrukturën civile, pavarësisht dëshmive të shumta në terren që tregojnë të kundërtën.