Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka deklaruar se liderët politikë duhet të marrin më shumë përgjegjësi dhe të mos i adresojnë të gjitha çështjet në Gjykatën Kushtetuese. Në një intervistë për Ekonomia Online, ai tha se megjithëse pritet vendimi i Kushtetueses deri të premten, më 8 gusht, udhëheqësit institucionalë duhet të jenë më të guximshëm në marrjen e vendimeve.
“Ekziston një tendencë që shumica e çështjeve t’i përcillen gjykatave, por udhëheqësit politikë kudo në botë duhet të jenë më vendimmarrës dhe të mos i referojnë çdo pyetje instancave gjyqësore,” u shpreh Westerlund.
Ai shtoi se, ndonëse Gjykata Kushtetuese ka rol kritik për çështje të caktuara, mbrojtja e Kushtetutës dhe funksionimi demokratik i vendit kërkojnë gjithashtu guxim dhe përgjegjësi nga klasa politike.
“Duhet të presim vendimin e Gjykatës, por ata që janë të thirrur ta mbrojnë Kushtetutën duhet ta marrin rolin e tyre seriozisht,” përfundoi ambasadori.