Bota e televizionit dhe fansat e serialit “The Walking Dead” janë në zi pas lajmit të ndarjes nga jeta të aktores Kelley Mack, e cila ndërroi jetë më 2 gusht, në moshën vetëm 33-vjeçare, pas një beteje të gjatë me një gliomë të sistemit nervor qendror – një lloj tumori që prek trurin ose palcën kurrizore.
Lajmi u bë i ditur nga familja e saj përmes një postimi prekës në rrjetet sociale, ku theksohet se ajo “u nda nga jeta në mënyrë të qetë”, e rrethuar nga të afërmit e saj.
Kelley Mack u bë e njohur për publikun ndërkombëtar me rolin e Addy në sezonin e nëntë të serialit të famshëm “The Walking Dead”, ku u shfaq në disa episode si pjesë e grupit të personazheve të rinj që përballen me botën post-apokaliptike të mbushur me zombie.
Përveç rolit të saj në këtë serial, ajo kishte interpretuar gjithashtu në “Chicago Med”, “9-1-1”, si dhe në projekte të tjera televizive dhe kinematografike. E lindur në Cincinnati, Ohio, Mack ishte gjithashtu skenariste dhe kishte filluar karrierën që në fëmijëri, duke u shfaqur në reklama televizive.
Aktorja kujtohet nga familjarët dhe kolegët si një shpirt i ndjeshëm dhe kreativ, me pasion për artin dhe një prani që e ndriçonte çdo ambient ku gjendej./Informim.net