Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se në Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028” do të ndërmerren masa të forta për të parandaluar pjesëmarrjen e atletëve transgjinorë në kategoritë e sporteve për femra.
Gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë, Trump njoftoi se të gjithë sportistët që synojnë të marrin pjesë në Olimpiadë do t’i nënshtrohen “testeve të rrepta”, ku ata që nuk i kalojnë do të përjashtohen nga garat.
“SHBA-ja nuk do të lejojë që burrat t’u marrin çmimet grave në Olimpiadën e vitit 2028”, u shpreh ai, duke shtuar se biologjikisht ekzistojnë vetëm dy gjini – mashkull dhe femër – dhe se administrata e tij nuk njeh përkufizime të tjera.
Trump gjithashtu firmosi një urdhër ekzekutiv që ndalon atletët transgjinorë të marrin pjesë në sportet e grave, duke specifikuar se institucionet arsimore që marrin fonde federale do të humbin financimin nëse lejojnë përjashtime nga ky rregull.