Një person është arrestuar të enjten në Prishtinë, pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë. Ngjarja ka ndodhur rreth mesditës në rrugën “Ahmet Krasniqi”, ku i dyshuari nuk ka respektuar urdhrat e policisë dhe më pas ka ushtruar dhunë ndaj tyre.
Si pasojë e sulmit, dy policë kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor. Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, i dyshuari, një mashkull kosovar, është ndaluar nga autoritetet dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Hetimet për këtë rast po vazhdojnë.

