Seanca gjyqësore për kërkesën e Ilir Metës për zëvendësimin e masës së arrestit me një më të butë u zhvillua këtë të premte në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), por u shty për javën e ardhshme. Arsyeja ishte pranimi i kërkesës që masa e sigurisë të shqyrtohet nga një gjyqtar i hetimeve paraprake.
Seanca u mbajt me dyer të mbyllura dhe u drejtua nga gjyqtari Erjon Bani. Ish-presidenti Meta nuk ishte i pranishëm fizikisht, por përfaqësohej nga avokatët Kujtim Cakrani dhe Dylejman Karaj.
Në seancë mori pjesë përfaqësuesi i SPAK, Alfred Shehu, në mungesë të prokurorëve të çështjes: Altin Dumani, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi.
Meta kërkon lirimin nga paraburgimi, duke argumentuar përmes avokatëve të tij se rrethanat kanë ndryshuar, pasi hetimi tashmë është përmbyllur dhe dosja është kaluar për gjykim. Sipas mbrojtjes, nuk ekziston më rreziku që Meta të ndikojë në provat.
Avokatët propozuan gjithashtu si masë sigurie ndalimin e daljes nga vendi, përmes bllokimit të pasaportës.
“Betejën do ta vazhdojmë në një proces të zakonshëm gjyqësor dhe jo të shkurtuar,” deklaroi mbrojtja, duke sinjalizuar një proces të gjatë në vijim.

