Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur një marrëveshje historike paqeje mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, duke njoftuar se të premten do të presë në Shtëpinë e Bardhë liderët e dy vendeve për një ceremoni zyrtare nënshkrimi.
Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, dhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, pritet të formalizojnë marrëveshjen që synon t’i japë fund dekadave të konfliktit, veçanërisht për rajonin e kontestuar të Nagorno-Karabakut, i cili u rikthye nën kontrollin e Azerbajxhanit në vitin 2023, duke shkaktuar zhvendosjen e mbi 100 mijë armenëve etnikë.
“Këta dy liderë guximtarë do të jenë me mua në Shtëpinë e Bardhë për të firmosur paqen. Shumë kanë dështuar ta arrijnë këtë – por jo ne”, shkroi Trump në rrjetin Truth Social, duke theksuar rolin udhëheqës të SHBA-së në këtë arritje diplomatike.
Sipas Trump, marrëveshja përfshin edhe bashkëpunim ekonomik, përmes nënshkrimit të marrëveshjeve bilaterale me të dyja shtetet. Një ndër projektet kryesore është krijimi i një korridori të ri transporti që do të lidhë Azerbajxhanin me enklavën e tij Nakhçivan përmes territorit armen.
Ky korridor pritet të përfshijë hekurudha, tubacione energjetike dhe rrjete moderne komunikimi, dhe sipas burimeve nga Associated Press, mund të marrë emrin “Rruga Trump për Paqe dhe Mirëqenie Ndërkombëtare”. Ndërtimi do të financohet nga kompani private, ndërsa SHBA do të ketë të drejtën e administrimit me qira.
Marrëveshja u arrit pas negociatave intensive dhe vizitës së të dërguarit të posaçëm të Trump, Steve Witkoff, në Baku, duke shënuar përpjekjen më të fuqishme deri më tani për t’i dhënë fund një konflikti katërdekadësh në Kaukazin Jugor.

