Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur vendosjen e një tarife 100% për importin e çipave në Shtetet e Bashkuara, si pjesë e politikës së tij për të stimuluar prodhimin vendor. Lajmi u bë i ditur gjatë një takimi në Zyrën Ovale me CEO-n e Apple, Tim Cook.
Pavarësisht tarifës së re, disa kompani do të përjashtohen, përfshirë gjigantin teknologjik Apple. Arsyeja: angazhimi i Apple për të investuar në prodhimin e brendshëm amerikan.
Në prani të Trump, Tim Cook njoftoi se Apple do të investojë edhe 100 miliardë dollarë për të rritur kapacitetet e saj prodhuese në SHBA – një lëvizje që përputhet me prioritetet ekonomike të administratës Trump.
Presidenti deklaroi se përjashtimi nga tarifa do të vlejë për të gjitha kompanitë që zyrtarisht shpallin investime të rëndësishme në prodhimin vendas.
Në kuadër të këtij plani, Apple do të ndërtojë një fabrikë të re në Kentucky përmes partneritetit me kompaninë Corning, e cila do të prodhojë xhamin për gjeneratat e reja të iPhone-ve. Corning ka qenë furnizuesi i xhamit për Apple që nga viti 2007.
Megjithatë, Apple nuk ka bërë ende të ditur ndonjë plan konkret për prodhimin e plotë të iPhone-ve brenda territorit amerikan.

