Politologu Albinot Maloku ka deklaruar se zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) në Kosovë është bllokuar për shkak të “shpërfytyrimit të rendit shtetëror” dhe mosfunksionimit të institucioneve.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Maloku tha se mungesa e reformave të kërkuara ligjore ka dëmtuar seriozisht besueshmërinë e Kosovës tek Bashkimi Evropian.
“Shpërfytyrimi aktual që po i bëhet rendit shtetëror në Republikën e Kosovës është i papërjetuar ndonjëherë. Gjendje jashtëzakonisht jo normale po konvertohen në normale. Kjo krijon mosbesueshmëri në instanca si BE-ja,” – tha Maloku.
Ai shtoi se MSA-ja kërkon reforma ligjore që duhet të realizohen nga Kuvendi, por kriza institucionale po e pamundëson këtë proces. Sipas tij, si pasojë e moszbatimit të marrëveshjes, Kosova po humb mundësi të rëndësishme financiare nga fondet e BE-së, përfshirë ndihmën nga programet IPA, me vlerë mbi 618 milionë euro.
“Flasim për mbështetje thelbësore për projekte në energji, shëndetësi dhe zhvillim ekonomik, të cilat Kosova nuk po i përfiton për shkak të marifeteve politike, sidomos nga subjekti i parë politik, që po e shpërfytyron shtetin në të gjitha segmentet,” – theksoi ai.
Maloku fajësoi drejtpërdrejt partinë në pushtet për degradimin institucional, duke thënë se orientimi i Kosovës drejt BE-së “është nën zero”.
“Kosova duhet t’i ketë trupat mbështetës që punojnë me BE-në dhe këshillin shtetëror për zbatimin e MSA-së. Aktualisht jemi shumë larg rrugëtimit drejt BE-së, me ngecje serioze në proces dhe humbje të besueshmërisë tek partnerët evropianë,” – përfundoi Maloku.