Deputeti i PDK-së dhe ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke bërë thirrje për përgjegjësi dhe respektim të rendit demokratik.
Në një postim në Facebook, Hoxhaj e nisi reagimin me citatin e Benjamin Franklin: “Një republikë, nëse mund ta mbani”, duke theksuar se mbajtja e një republike kërkon përgjegjësi, respekt për Kushtetutën dhe gatishmëri për ta mbrojtur atë në çdo rrethanë.
Ai akuzoi pushtetin aktual se ka sulmuar qëllimisht rendin kushtetues dhe ka vendosur krizën e bllokadën mbi ligjshmërinë. Sipas tij, çdo sulm ndaj Gjykatës Kushtetuese është i papranueshëm.
“Vetëm respektimi i vendimeve të saj mund t’i japë fund krizës, kaosit dhe anarkisë në vend,” – u shpreh Hoxhaj, duke kërkuar që institucionet dhe politika të tregojnë përgjegjësi në mbrojtje të Kushtetutës.