Lëvizja Vetëvendosje ka prezantuar zyrtarisht kandidatët për kryetarë në tri komunat veriore të Kosovës – Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Në Leposaviq, për mandatin e ardhshëm do të rikandidojë Lulzim Hetemi, aktualisht në krye të komunës. Për Zubin Potok, kandidati është Vedat Mehmeti, ndërsa për Zveçan Fetah Peci.
Gjatë prezantimit, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, u tha se këta kandidatë janë “garancia për ndërtimin e institucioneve funksionale, sjelljen e investimeve dhe garantimin e qeverisjes që respekton ligjin e punon për të gjithë”.
Hetemi u vlerësua si një kryetar i pranishëm çdo ditë në terren, që ka dëshmuar guxim dhe vendosmëri. Mehmeti u prezantua si figurë që synon zhvillim përmes bashkëpunimit me qeverinë, ndërsa Peci si njeri me përvojë që do të thyejë izolimin e Zveçanit.
Zgjedhjet në veri do të mbahen më 12 tetor, ndërsa LVV ka riafirmuar mbështetjen e plotë për kandidatët e saj, duke theksuar se synon fitore dhe zhvillim për të gjitha komunat veriore.