Mungesa e barnave esenciale në institucionet publike po krijon një sfidë të dyfishtë për pacientët në Kosovë, të cilët detyrohen të blejnë barnat në tregun privat, duke u përballur me shpenzime të mëdha. Kështu vlerëson Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë në një intervistë për Ekonomia Online.
Kodra thekson mungesën e transparencës nga institucionet për furnizimin real me barna, duke kritikuar mosofrimin e të dhënave të sakta mbi përqindjen e mbulimit të barnave esenciale. “Ka mungesë të barnave, megjithëse buxheti është rritur paksa. Problematike mbetet mungesa e transparencës se cilat barna janë në dispozicion dhe cilat mungojnë. Asnjëherë institucionet nuk japin përgjigje të qartë për përqindjen e furnizimit, gjë që krijon pasiguri dhe komplikime”, shpjegon ai.
Ai përmend gjithashtu paradoksin e një liste esenciale që nuk plotësohet plotësisht, ndërkohë që vazhdon të zgjerohet pa siguruar furnizimin e barnave ekzistuese, duke theksuar se kjo tregon papërgjegjësi ndaj pacientëve.
Një pjesë e konsiderueshme e kostove për barna mbulohet nga vetë qytetarët, duke rënduar gjendjen e tyre ekonomike. “Pacientët paguajnë taksa me shpresën që shërbimet shëndetësore do të jenë të plota, por në mungesë të barnave, ata detyrohen të blejnë vetë, shpesh me kosto të larta që mund të jenë katastrofike për familjet e tyre”, thekson Kodra.
Ai gjithashtu kritikon listën e gjerë të barnave esenciale, të cilat megjithatë nuk janë të disponueshme në qendrat shëndetësore dhe spitale. Sipas tij, mungesa e transparencës e bën situatën të paqartë, por sipas disa hulumtimeve, qasja në barna është përmirësuar vetëm rreth 3% krahasuar me vitet e kaluara.
Ky problem i mungesës së barnave esenciale dhe transparencës mbetet një sfidë e madhe për sistemin shëndetësor dhe pacientët në Kosovë.