Qytetarët e Kosovës morën mbi 1 miliard euro kredi në pesë muaj

by engel

Qytetarët e Kosovës kanë hyrë në borxh mbi 1.2 miliardë euro në bankat komerciale vetëm gjatë periudhës janar–maj të vitit 2025, duke shënuar një rritje prej rreth 200 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), deri në fund të muajit maj, totali i kredive aktive ka arritur në 6.3 miliardë euro, nga 5.2 miliardë euro në maj të vitit 2024 – një rritje vjetore prej 20.9%.

banner

Ndërkohë, është regjistruar edhe rritje e depozitave bankare. Në pesëmujorin e parë të këtij viti, depozitat e reja kanë arritur në 480.9 milionë euro, mbi 133 milionë euro më shumë se një vit më parë. Totali i depozitave ka arritur në 6.9 miliardë euro, një rritje prej 14.1% krahasuar me majin 2024.

Ekspertët: Normat e interesit të larta, kreditë po merren nga halli
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë se rritja e kredive për ekonomitë familjare nuk është shenjë pozitive, pasi tregon se shumë familje po përballen me vështirësi financiare dhe po detyrohen të marrin kredi të reja ose të riprogramojnë ato ekzistuese.

Sipas tij, norma mesatare e interesit për kreditë e reja – e cila aktualisht është 6.0% – mbetet e lartë dhe institucionet duhet të ndërmarrin masa për ta ulur. “Ekzekutivi dhe Banka Qendrore duhet të punojnë më shumë, sidomos në forcimin e sigurisë juridike dhe zgjidhjen më të shpejtë të kontesteve mes bankave dhe bizneseve,” u shpreh Rafuna.

Profesori i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj, vlerëson se rritja e njëkohshme e kredive dhe depozitave tregon për “përshkallëzim të gjendjes ekonomike”. Sipas tij, qytetarët dhe bizneset po përdorin kreditë kryesisht për të mbuluar nevojat afatshkurtra, ndërsa pjesa më e madhe e depozitave vjen nga diaspora.

Kadrijaj thekson gjithashtu se mungesa e funksionimit institucional po rëndon gjendjen ekonomike: “Aktualisht nuk kemi qeveri të mandatuar dhe as parlament funksional. Kjo situatë, nëse vazhdon, do të ngulfat edhe më shumë ekonominë e vendit.”

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy