Shkruan: Bajram Gecaj
Deklarata e znj. Statovci për vendimin e Gjykatës Kushtetuese përmban dy elemente thelbësore: një kritikë juridike që meriton debat profesional, dhe një thirrje e nënkuptuar politike që kalon përtej kufijve të sigurisë kushtetuese.
Në vend që të ndalet te analiza e argumentuar ligjore – se a ka tejkaluar Gjykata mandatin e saj duke krijuar “normë” – znj. Statovci shkon më tej, duke thënë se nuk ka ku të drejtohet “përveç te populli.” Ky është një formulim i rrezikshëm, sepse në diskursin politik nuk nënkupton vetëm “presion demokratik,” por mund të lexohet si thirrje për rrëzim të rendit kushtetues dhe veprime jashtë institucioneve.
Indikacione e tentime për rrëzimin e tërë sistemit nga LVV ka pasur edhe më herët, derisa kjo thirrje provon atë që e kam artikuluar disa herë: LVV-në nuk e kënaq qeverisja me “kontrolle e balanca” – ajo synon të instalojë pushtet të pakufizuar.
Kur një politikane, e vendosur në sistemin institucional, apelon “drejt popullit” si autoritet i vetëm legjitim, ajo hap derën për krizë politike dhe destabilitet. Historia na tregon se të tilla retorika kanë prodhuar jo reforma të qeta, por tronditje të dhunshme. Në këtë kuptim, fjalët e saj janë më shumë se retorikë e zemëruar – ato janë një sinjal alarmi për erozionin e besimit në institucionet e shtetit.
Kosova ka mekanizma ligjorë për të sfiduar çdo vendim të diskutueshëm, por jo luksin për të flirtuar me idenë e “revolucionit të vonuar demokratik,” që nënkupton mospranim të rendit aktual. Politikanët duhet të jenë gardianë të Kushtetutës, jo katalizatorë të anarkisë së mundshme.
Jeta Statovci: “Si ka mundësi që Gjykata kushtetuese krijon një normë duke e detyruar numrin e propozimeve nga propozuesi por heshtë për të caktuar detyrime për pjesën tjetër të deputetëve? Por, nëse Gjykata Kushtetuese ka filluar të rishkruaj Kushtetutën, ne nuk kemi ku të drejtohemi për këtë sqarim në Kosovë, përveç te populli. Demokracia nuk mund të pezullohet me manipulime procedurale e interpretime që i përshtaten politikave ditore. Ka ndodhur edhe më herët, që pak grupe të interesit kanë marrë kurajo të sfidojnë një popull, dihet epilogu.
E kush nuk mëson nga historia, i përsëritet.”