Trajneri i Shkëndijës, Jeton Beqiri, është optimist se skuadra e tij mund të bëjë një paraqitje të madhe në ndeshjen e kthimit kundër Qarabag, pavarësisht humbjes në takimin e parë.
Dy skuadrat ndeshen të martën në baku në ndeshjen e dytë në kaudër të rrethit të tretë të kualifikimeve për Champions League. Ndeshjen e parë e ka fituar skuadra azere me rezultat 0-1.
“Është shumë e rëndësishme që të kuptojmë se ne në këtë ndeshje nuk kemi situatën se çfarë do të humbim nga ndeshja e parë, për shkak se ne kemi humbur atë. Është e rëndësishme që të futemi në lojë dhe të provojmë gjithçka për gjithçka. Të jemi një skuadër e organizuar, skuadër e cila do të jetë agresive në sulm, normalisht edhe do të mbrohet mirë dhe është e rëndësishme që disa nga ato rastet e krijuara, të shënojmë dhe pastaj në futboll gjithçka është e mundur, unë kam shumë shpresë se do të bëjmë një paraqitje të mirë dhe shpresoj që ne të jemi skuadra që do të gëzohet në fund”, ka deklaruar Beqiri.
Ai e ka pranuar se skuadra nuk ishte në nivelin e duhur fizik në pjesën e parë të ndeshjes në Shkup, gjë që ndikoi në rezultat. “Mendoj që në ndeshjen e parë nuk e kishim freskinë e duhur fizike sa i përket skuadrës normalisht dhe në këtë aspekt ekipi i Qarabag ishte shumë më mirë, veçanarisht në pjesën e parë. Besoj që një nga faktorët që vendosën në ndeshjen e parë, ishte edhe goli i pranuar nga ana jonë, ishte një gol aksidental dhe pastaj ekipet e mira dinë t’i shfrytëzojnë rastet, ku patën edhe disa raste tjera për të na ndëshkuar, por edhe ne patëm rastet tona që nuk arritëm t’i shfrytëzojmë”, ka thënë Beqiri.
Megjithatë, tekniku shqiptar ka theksuar se rezultati është ende i hapur. “Ne nuk u paraqitëm mirë në pjesën e parë në ndeshjen në Shkup. Besoj që edhe ajo që përmenda më herët, freskia fizike kishte ndikimin e vet, por e rëndësishme është që rezultati ende është aktiv dhe ne kemi shpresë se këtu do të luajmë më mirë, kemi shpresë se do të bëjmë një ndeshje të madhe dhe besoj që ne do të jemi ata që në disa momente do ta rrezikojmë Qarabag, për shkak se presioni psikologjik nuk do të jetë në anën tonë dhe ne do të tentojmë të fitojmë dhe normal të kualifikohemi”, është shprehur ai

