Eksperti i sigurisë Bedri Elezi ka akuzuar ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për lidhje miqësore me Mefail Shkodrën, të dyshuarin kryesor për vrasjen e trefishtë të ndodhur të dielën në Gjilan.
Në një intervistë për Klan Kosova, Elezi tha se Shkodra ka qenë sponsor i Lëvizjes Vetëvendosje gjatë zgjedhjeve dhe se kjo lidhje, sipas tij, ka ndikuar në faktin që i dyshuari dhe dy persona të tjerë ende janë në arrati.
“Sveçlën nuk e marr seriozisht fare. Në Gjilan dihet se i dyshuari ka pasur marrëdhënie miqësore me të dhe ka sponsorizuar Vetëvendosjen në zgjedhje. Ka fotografi të publikuara në media ku shihet me ministrin, presidenten dhe kryeministrin. Kjo tregon se ka marrë pjesë në evente dhe ka përfituar nga këto lidhje për t’iu shmangur drejtësisë”, deklaroi Elezi.
Ai i bëri thirrje Sveçlës të ndërmarrë veprimet e nevojshme për arrestimin e të dyshuarit, duke theksuar se kjo është detyrë ligjore e tij si ministër i Brendshëm.
Nga ana e tij, ministri Sveçla dhe subjektet e përmendura nuk kanë reaguar ende ndaj këtyre akuzave.