Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka akuzuar presidenten Vjosa Osmani se ka tentuar të godasë dhe të paralizojë këtë institucion, duke rrezikuar kuorumin e saj.
Sipas Hasanit, kjo ndodhi kur Osmani i kërkoi Kushtetueses sqarim për pasojat e moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues, e më pas e tërhoqi kërkesën me arsyetimin se gjyqtar raportues ishte Radomir Laban, të cilin ajo e konsideron “rrezik për sigurinë kombëtare”.
Hasani e cilësoi kërkesën si “tërësisht fiktive” dhe të orkestruar për të dëmtuar gjykatën.
“Është e qartë për mua si loti, që e gjithë përpjekja ishte për ta paralizuar Gjykatën dhe për t’ia humbur kuorumin,” tha ai.
Ai shtoi se përdorimi nga Osmani i informatave të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) në publik përbën abuzim, pasi ato janë të ndaluara me ligj për publikim.
“Nëse thua që ka rrezik për sigurinë kombëtare dhe dyshohet se punon me BIA-n, por nuk ka procedurë penale ndaj tij, atëherë po abuzon me informatat zyrtare,” theksoi Hasani.
Sipas tij, në rast të dorëheqjes apo shkarkimit të njërit prej shtatë gjyqtarëve aktualë, Gjykata Kushtetuese do ta humbte kuorumin, duke u bërë jofunksionale.