Ambasadat e Shteteve të Bashkuara dhe Italisë në Kosovë u kanë bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që të respektojnë vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me procesin e konstituimit, duke paralajmëruar se bllokada politike po i kushton vendit me humbje të mundësive.
Ato i janë referuar dispozitivit të 8 gushtit të Kushtetueses, ku përcaktohet se kryetari i Kuvendit duhet të zgjidhet me votim të hapur brenda 30 ditëve dhe se partia fituese e zgjedhjeve mund të propozojë kandidat deri në tri herë.
Ambasada e Italisë në Prishtinë ka theksuar për Radion Evropa e Lirë se vendimi i Kushtetueses është i qartë dhe se “të gjitha forcat politike duhet të pajtohen për ta zgjidhur ngërçin institucional për të mirën e Kosovës dhe qytetarëve të saj”.
Ndërkohë, ambasada amerikane në Prishtinë i ka thënë gazetës KOHA se bllokimi i vazhdueshëm politik po dëmton zhvillimin e vendit. “Populli i Kosovës pret nga udhëheqësit e tyre t’i përmbushin angazhimet për të punuar në interesin më të mirë të vendit. Është koha që lidershipi të prioritizojë progresin dhe stabilitetin,” ka deklaruar ambasada.
Seanca konstituive nuk mund të mbahet pa publikimin e aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese. Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, e ka quajtur vendimin e Kushtetueses “devijim të rrezikshëm nga roli kushtetues” dhe “në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës”.
Në anën tjetër, partitë e mëdha shqiptare që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, e kanë mirëpritur vendimin duke e konsideruar fitore kushtetuese dhe demokratike.
Ngërçi politik ka nisur fillimisht për shkak të kundërshtimit të partive ndaj kandidaturës së Albulena Haxhiut (LVV) për kryeparlamentare, të cilën e cilësuan figurë “përçarëse”, dhe më pas për shkak të ndryshimit të mënyrës së votimit nga e hapur në të fshehtë.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë për REL se dispozitivi është i qartë dhe se, nëse ekziston vullnet politik, procesi mund të finalizohet shpejt, ndonëse ka vërejtur disa “defekte” në vendim.
Kuvendi i Kosovës konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të zgjidhet kryetari dhe pesë nënkryetarët, çka hap më pas rrugën për formimin e Qeverisë së re.