Deklarata e ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, se gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nga komuniteti serb, Radomir Laban, dyshohet për lidhje me Agjencinë për Siguri dhe Informim të Serbisë (BIA), ka nxitur reagime të forta nga njohës të çështjeve të drejtësisë.
Avokati Asdren Bytyqi e cilësoi deklaratën si reagim “puropolitik” pas vendimit të Kushtetueses për konstituimin e Kuvendit, duke akuzuar Qeverinë dhe Vetëvendosjen për “standard të dyfishtë” dhe ndërhyrje të vazhdueshme në sistemin e drejtësisë.
“Po kërkohet fajtor dhe po damkosohet Gjykata Kushtetuese për vendime që nuk i konvenojnë pushtetit,” tha Bytyqi për Albanian Post.
Ndërsa njohësi i drejtësisë, Arber Jashari, tha se çdo pretendim për integritetin e një gjyqtari duhet trajtuar institucionalisht, sipas Kushtetutës dhe ligjeve përkatëse. Sipas tij, deklaratat e Haxhiut nuk përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë, por mund të dëmtojnë besimin dhe kredibilitetin e Kushtetueses.
Deklaratat e Haxhiut erdhën pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe pas tërheqjes nga presidentja Vjosa Osmani e një kërkese për interpretim kushtetues, duke përmendur praninë e Labanit në trupin gjykues.
Haxhiu akuzoi se Laban ka qenë i përfshirë në aktivitete të inteligjencës serbe dhe ka pasur lidhje me Milan Radoiçiç, të akuzuar për sulmin e armatosur në Banjskë/Zveçan në vitin 2023.
Sipas Kushtetutës, një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese mund të shkarkohet nga presidenti vetëm me propozim të dy të tretave të gjyqtarëve të saj, pas ndjekjes së procedurave të përcaktuara ligjërisht.