Pas vetëm 100 ditësh në pushtet, koalicioni qeverisës në Gjermani po përballet me krizën e parë serioze politike. Sipas sondazhit të fundit të Institutit Forsa për RTL dhe n-tv, Alternativa për Gjermaninë (AfD) kryeson me 26% të mbështetjes, duke lënë pas bllokun konservator CDU/CSU me 24%.
Partitë e tjera renditen kështu: SPD dhe Të Gjelbrit me nga 13% secila, ndërsa E Majta (Die Linke) me 11%. Interesante është edhe rritja e dukshme e hezitimit të elektoratit – 25% e qytetarëve deklarojnë se janë të pavendosur ose nuk do të votojnë, krahasuar me 17.9% në zgjedhjet e fundit federale.
Merz në rënie të lirë politike
Kancelari Friedrich Merz po përjeton momentin më të vështirë të mandatit: vetëm 29% e qytetarëve shprehen të kënaqur me punën e tij (−3 pikë), ndërsa 67% janë të pakënaqur (+3 pikë). Ky është niveli më i ulët i vlerësimit për të që nga marrja e detyrës.
A do ta përfundojë mandatin koalicioni?
Sondazhi tregon edhe skepticizëm të lartë për jetëgjatësinë e qeverisë. Vetëm 52% e të anketuarve besojnë se koalicioni CDU/CSU–SPD do të arrijë deri në fund të mandatit në pranverën e vitit 2029, ndërsa 43% mendojnë se do të rrëzohet para kohe.