Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Kolë Krasniqi, ka deklaruar për Front Online se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese është në thelb i drejtë dhe profesionalisht i argumentuar, por përmban mangësi që mund të çojnë në vazhdimin e bllokadës së Parlamentit të Kosovës.
Sipas tij, një nga boshllëqet kryesore është mungesa e përcaktimit të qartë të pasojave për deputetët që refuzojnë të votojnë ose të marrin pjesë në procesin e votimit.
“Gjykata ka theksuar se të gjithë deputetët janë të obliguar të votojnë, por nuk ka paraparë çfarë ndodh nëse nuk e bëjnë këtë. Kjo lë hapësirë për vazhdim të bllokadës, ashtu siç ka ndodhur deri tani”, tha Krasniqi.
I pyetur për reagimet e Lëvizjes Vetëvendosje, ai i quajti “të panevojshme” polarizimet që po krijohen, duke paralajmëruar se ato dëmtojnë imazhin e Kosovës edhe në arenën ndërkombëtare.
“Jam i befasuar me këto qëndrime krejtësisht të panevojshme. Përgjegjësia më e madhe i bie partisë me numrin më të madh të deputetëve”, shtoi ai.
Krasniqi tha gjithashtu se nëse Vetëvendosja dështon tri herë radhazi në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, e drejta duhet t’i kalojë opozitës. Nëse edhe subjekti i dytë dështon pas tri tentativash, ai vlerëson se duhet të shpallen zgjedhje të reja, edhe pse një skenar i tillë nuk është parashikuar qartë në Kushtetutë.
Ai bëri apel që përfaqësuesit politikë, veçanërisht ata të Vetëvendosjes, të shmangin retorikat që rrisin përçarjen politike dhe humbin besimin e qytetarëve:
“Këto qëndrime polarizuese ndikojnë negativisht te elektorati dhe në besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës.”