Musk akuzon Apple për “lojëra politike” në App Store

by jonzefaj

Elon Musk, pronar i SpaceX, Tesla dhe X, ka deklaruar se planifikon të padisë Apple për mos përfshirjen e X dhe aplikacionit të tij të inteligjencës artificiale (AI) Grok në listën e aplikacioneve më të rekomanduara në App Store.

Musk publikoi komentet në platformën X të hënën në mbrëmje, duke shkruar:

banner

“Hej @Apple App Store, pse refuzoni të vendosni X ose Grok në seksionin tuaj ‘Must Have’, kur X është aplikacioni #1 i lajmeve në botë dhe Grok renditet i pesti në të gjitha aplikacionet? Po bëni lojëra politike? Çfarë po ndodh? Mendjet kurioze duan të dinë.”

Grok është në pronësi të kompanisë xAI, startup-i i Musk për inteligjencë artificiale.

Musk shtoi se “Apple po sillet në një mënyrë që e bën të pamundur për çdo kompani AI, përveç OpenAI, të arrijë vendin e parë në App Store, gjë që përbën shkelje të qartë të ligjit antitrust. xAI do të ndërmarrë menjëherë veprime ligjore.”

Apple nuk ka dhënë asnjë koment të menjëhershëm mbi akuzat, por kompania është përballur me disa akuza për shkelje të ligjeve antitrust vitet e fundit.

Një gjykatës federal kohët e fundit vendosi se Apple ka shkelur një urdhër gjykate në një çështje antitrust të ngritur nga kompania e lojërave Fortnite, Epic Games.

Në prill, rregullatorët e Bashkimit Europian gjobitën Apple me 500 milionë euro për shkelje të rregullave të konkurrencës duke ndaluar zhvilluesit e aplikacioneve t’u ofrojnë përdoruesve opsione më të lira jashtë App Store.

Vitin e kaluar, BE gjobiti Apple me gati 2 miliardë dollarë (1.8 miliardë euro) për favorizim të padrejtë të shërbimit të saj të transmetimit muzikor, duke ndaluar rivalët si Spotify t’u tregonin përdoruesve se si të abonoheshin më lirë jashtë aplikacioneve të iPhone.

Ndërkohë, në korrik, autoriteti rregullator i Spanjës deklaroi se po thellonte hetimin mbi Apple për shqetësime se kompania kishte vendosur kushte “të padrejta” për zhvilluesit që kërkojnë të publikojnë aplikacionet e tyre në App Store.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy