Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me pronat e Manastirit të Deçanit.
Në një intervistë në Rubikon të Klan Kosovës, Ramosaj tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i marrë në vitin 2016, nuk ka qenë zgjidhja më e mirë dhe se ka ekzistuar mundësia për një zgjidhje më të pranueshme për të dyja palët.
“Vendimet e gjykatave nuk mund të hidhen poshtë, por ka pasur hapësirë për një zgjidhje më elokuente dhe më të kapshme si për Manastirin, ashtu edhe për ne,” u shpreh ai.
Sipas tij, zbatimi i vendimit nga Qeveria aktuale përbën ironi, pasi pikërisht ata që dikur e kundërshtonin më ashpër, tani e zbatuan pa asnjë kusht.
“Ata që e kanë bërë kauzë moszbatimin e këtij vendimi, sot e zbatojnë pa asnjë lehtësim për interesat e qytetarëve të Deçanit. Nuk kanë lënë odë e rrugicë pa hyrë për të na quajtur tradhtarë, e sot e bëjnë vet tradhtinë,” tha Ramosaj.
Ai kritikoi edhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, dhe të gjithë zyrtarët e përfshirë në zbatimin e vendimit, duke i akuzuar se me veprimet e tyre i kanë dhënë arsye ndërkombëtarëve të marrin vendime edhe më të ashpra në të ardhmen.