Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë kanë reaguar të martën pas vendimit të shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, i cili është në favor të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
Sipas ZRRE-së, bizneset shumë shpejt do të duhet të lidhin kontrata me kompani të licencuara për furnizim me energji, përndryshe do të shkëputen nga rrjeti energjetik. Vendimi për liberalizim ka hyrë në fuqi më 1 qershor dhe parashikon që të gjitha kompanitë me më shumë se 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro në vit, të kalojnë në tregun e hapur të energjisë.
Ato kompani që nuk kanë arritur të lidhin kontrata me furnizues privatë janë furnizuar nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) si opsion i fundit, për një periudhë 60-ditore. Kjo periudhë ka përfunduar më 31 korrik për bizneset që kishin marrë furnizim nga KEK-u.
Megjithatë, më 30 korrik, Gjykata Komerciale ka lëshuar një aktgjykim që e cilëson vendimin e ZRRE-së për kalim në treg të lirë si të kundërligjshëm. Si pasojë, kompanitë nuk janë shkyçur nga rrjeti. Aktualisht, mbi 1.300 biznese private janë pjesë e këtij tregu të hapur.
OEK ka bërë të ditur se do të vazhdojë betejën ligjore përmes mjeteve që ka në dispozicion. “Përkundër këtij vendimi, OEK kërkon nga ZRRE që të mos ndërmarrë veprime që do të dëmtonin më tej bizneset, të cilat tashmë janë dëmtuar nga vendime që kanë ndikuar negativisht në ekonominë e vendit dhe kanë shtuar koston e jetesës së qytetarëve të Kosovës”, thuhet në komunikatën e OEK-ut.
Oda ka paralajmëruar konsultime me bizneset në ditët në vijim për të përcaktuar hapat e ardhshëm. Edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka bërë të ditur se do të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat ligjorë për të kundërshtuar vendimin, duke theksuar se “gjykata ka pasur mjaft prova dhe argumente të qarta për shkeljet e bëra, të cilat janë prezantuar vazhdimisht në takimet me institucionet, por fatkeqësisht nuk janë marrë parasysh”.
Liberalizimi i tregut të energjisë në Kosovë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016, por zbatimi i tij është shtyrë disa herë për shkak të rrethanave të ndryshme. Në vendet e Bashkimit Evropian ky proces ka nisur në fund të viteve ’90, me qëllim rritjen e konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët, ndërsa në Ballkanin Perëndimor vazhdon të jetë në zhvillim.