Mbrëmë, pak para mesnatës, qetësia e kryeqytetit u thye nga të shtënat me armë zjarri në Hajvali, ku një person mbeti i vrarë.
Sipas Policisë së Kosovës, viktima u transportua pa shenja jete në QKUK, ku mjekët konfirmuan vdekjen e tij. Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tha për media se hetimet kanë nisur dhe i dyshuari për vrasjen është identifikuar, por ende është në arrati.
“Vdekja e viktimës mashkull është konstatuar nga ekipi mjekësor në QKUK. Policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rastit”, deklaroi Ahmeti.
Kjo ngjarje e rëndë është e pesta brenda 48 orëve në Kosovë. Vetëm një ditë më parë, Gjilani u trondit nga një ekzekutim i trefishtë, ku tre persona humbën jetën dhe autorët e dyshuar vazhdojnë të jenë në kërkim.
Po ashtu, në Prizren një burrë u vra pas një sulmi me thikë, ndërsa në këtë rast policia ka arritur të arrestojë të dyshuarin.
Valë ngjarjesh të tilla kriminale po shtojnë shqetësimin e opinionit publik, ndërsa institucionet e rendit thonë se po intensifikojnë operacionet për kapjen e autorëve.