Kancelari austriak: Dialogu Kosovë–Serbi nuk ka alternativë

by engel

Kancelari i Austrisë, Christian Stocker, ka deklaruar se nga perspektiva e Bashkimit Evropian, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është i vetmi mekanizëm për të gjetur një zgjidhje, nëse ekziston vullneti politik.

“Vërtet besoj se ekziston gatishmëri për të gjetur një zgjidhje, pavarësisht të gjitha vështirësive, por duhet të them hapur se unë nuk mund ta ofroj atë,” tha Stocker gjatë vizitës së tij në Serbi më 13 gusht.

banner

Ai theksoi se zgjidhja duhet të mundësojë bashkëjetesë paqësore në rajon, edhe pse kjo mund të duket e vështirë për momentin. Sipas kancelarit, çështja e marrëdhënieve Kosovë–Serbi duhet të zgjidhet gjatë procesit të integrimit evropian të Serbisë. Ai tha se mirëpret çdo hap që mund të rikthejë palët në tryezën e bisedimeve.

Rundi i fundit i dialogut, i ndërmjetësuar nga BE-ja, u zhvillua më 10 qershor, por takimi i fundit në nivel të lartë ishte në shtator 2023. Ai takim ndodhi vetëm disa ditë para sulmit në Banjskë, afër Zveçanit, kur një grup serbësh të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një polic. Në këmbim zjarri u vranë tre sulmues serbë. Kosova e fajëson Serbinë për këtë ngjarje, ndërsa Beogradi mohon përfshirjen.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e quajti Austrinë “një vend shumë të rëndësishëm” për shtetin e tij dhe tha se Vjena gjithmonë ka ndihmuar Beogradin në rrugën drejt BE-së. “Sot biseduam për të gjitha çështjet e rëndësishme, nga reformat në Serbi në fushën e sundimit të ligjit deri te nevoja e dialogut me Prishtinën si mënyra e vetme për të tejkaluar tensionet dhe krizën ekzistuese. Në të njëjtën kohë, theksuam nevojën për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në gjithë rajonin,” tha Vuçiç.

Gjatë konferencës për media, kancelari Stocker rikonfirmoi mbështetjen e Austrisë për rrugën evropiane të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ai kërkoi mbrojtjen e rajonit nga përpjekjet destabilizuese dhe theksoi rëndësinë e përcjelljes së shtyllave themelore të BE-së – të drejtave të njeriut, lirisë së shprehjes dhe bashkëjetesës demokratike – edhe përtej kufijve të Unionit.

Stocker tha se rruga drejt BE-së nuk është një proces njëkahësh dhe se sundimi i ligjit është një nga kriteret kyçe për avancim. Ai theksoi se përkushtimi ndaj vlerave të BE-së duhet të reflektohet edhe në politikën e jashtme, duke përmendur se Serbia ka një shkallë përafrimi prej rreth 60 për qind me politikën e jashtme të BE-së, por ende nuk është harmonizuar me masat kundër Rusisë dhe Kinës.

Kancelari austriak kërkoi gjithashtu që procesi i zgjerimit të BE-së të bëhet më i prekshëm për qytetarët dhe që të gjitha vendet kandidate të trajtohen sipas të njëjtave rregulla dhe kritere. Ai u shpreh në favor që vendet kandidate të përfshihen në zonën e roaming-ut të BE-së.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy