Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka zhvilluar një vizitë në Hagë, ku është takuar me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.
Në një postim në Facebook, Krasniqi ka ndarë përshtypjet e tij nga takimi, duke theksuar se besimi në drejtësi mbetet i palëkundur.
“Edhe këtë herë, në çdo fjalë të tyre, e ndjeva të gjallë bindjen se drejtësia për çlirimtarët tanë po afrohet,” shkroi ai, duke përçuar optimizmin që mbizotëron mes të akuzuarve në këtë proces të tejzgjatur.
Krasniqi vlerësoi qëndrueshmërinë e Thaçit dhe Veselit, të cilët sipas tij, mbeten të lidhur shpirtërisht me Kosovën dhe popullin e saj. “Ata janë mirë, optimistë dhe dërgojnë përshëndetjet më të ngrohta për secilin prej jush,” tha ai.
Me një mesazh shprese, ai përcolli fjalët e Thaçit: “Dielli do të lind përsëri!” — një metaforë e fuqishme për rikthimin e drejtësisë dhe dritës mbi të vërtetën historike të luftës për liri.
Krasniqi përmbylli postimin me besimin se koha do të zbardhë të vërtetën dhe se drejtësia, sado e vonuar, do të triumfojë mbi çdo padrejtësi.