Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar sot se, gjatë 24 orëve të fundit, strukturat e Policisë së Shtetit kanë identifikuar 14 persona si autorë të zjarrvënieve të qëllimshme në disa zona të vendit.
Sipas informacionit zyrtar, 10 prej të dyshuarve janë arrestuar, ndërsa 4 të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë. Pamjet e personave të dyshuar janë publikuar nga Kryeministri në rrjetet sociale.
“Forca Kombëtare e Sigurisë, Shqiponjat, Patrullat e Përgjithshme dhe Forcat Operacionale janë në terren, duke ndihmuar në evakuimin e banorëve dhe duke mbështetur Emergjencat Civile e Zjarrfikësit për shuarjen e flakëve”, u shpreh Rama.
Ngjarjet e fundit kanë qenë tragjike: një person ka humbur jetën dhe tetë të tjerë janë plagosur nga zjarret që kanë përfshirë shtatë fshatra të zonës së Gramshit. Autoritetet vijojnë punën intensive për izolimin e vatrave të zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve.