Njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka paralajmëruar për krizë të thellë ekonomike në Kosovë, duke theksuar se dominimi i agjendës politike dhe mungesa e institucioneve funksionale po e dëmtojnë rëndë zhvillimin ekonomik të vendit.
Në një intervistë për Ekonomia Online, ai ka bërë të ditur se nga janari deri në korrik të vitit 2025, importet kanë arritur pothuajse katër miliardë euro, ndërsa eksportet vetëm 595 milionë euro – një disbalancë që sipas tij tregon më së miri gjendjen alarmante të ekonomisë kosovare.
“Kur dominon agjenda politike është vërtet utopike të flitet për ekonominë, sepse askush nuk merret me të, përveç efekteve negative që i paguan qytetari. Fakti që kemi importe afër katër miliardë dhe eksporte vetëm 595 milionë euro dëshmon mjerimin që e ka kapluar ekonominë. Politizimi i ekonomisë dhe mungesa e institucioneve funksionale janë dëm direkt për zhvillimin vendor”, ka deklaruar Gërxhaliu.
Ai paralajmëroi se, nëse nuk ndërmerren menjëherë reforma dhe politika mbështetëse për bizneset, Kosova rrezikon të humbasë kapital, prodhim dhe fuqi punëtore.
“Gjendja është alarmante sa i përket bilancit tregtar. Duhet dialog për depolitizim të ekonomisë dhe qasje pro bizneseve. Në të kundërt, shumë prodhime që sot bëhen në Kosovë nesër do t’i gjejmë në Shqipëri, Maqedoni apo vende të tjera, ku kushtet janë më të favorshme. Në ekonomi nuk ka emocion – ka interes dhe profit”, u shpreh ai.
Gërxhaliu kritikoi ashpër edhe ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke e cilësuar si një tjetër goditje për konkurrueshmërinë e prodhimit vendor.
“ZRRE-ja tashmë ka fituar në procesin gjyqësor për rritjen e çmimit, por kjo e bën prodhimin kosovar jokonkurrues, jo vetëm në tregun rajonal, por edhe në atë evropian. Nuk duhet të na çudisë fakti që Kosova, për fat të keq, eksporton vetëm para të gatshme. Inflacioni që në nëntor 2024 ishte 0.9%, sot ka arritur në 4.3%, duke sjellë rritje deri në 25% të çmimeve të produkteve esenciale”, ka thënë Gërxhaliu.
Ai theksoi se vetëm një qasje e re, e depolitizuar dhe e fokusuar tek zhvillimi ekonomik, mund ta nxjerrë vendin nga kjo situatë e rëndë.