Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Drenica nga Shala e Lipjanit, ka bërë një deklaratë publike ku njofton se pas 25 vitesh besnikëri ndaj krahut të luftës në Lipjan, ka vendosur t’i japë mbështetjen e tij kryetarit aktual, Imri Ahmeti.
Drenica kujton se në prillin e vitit 1999 ishte plagosur rëndë gjatë ofensivës dhe menjëherë pas luftës ishte detyruar të shkojë në Itali për shërim, pasi në Kosovë nuk kishte kushte për trajtimin e plagëve të tij.
Sipas tij, në vitin 2010, me ardhjen në pushtet të Shukri Bujës, ishte përfshirë në listën e përfituesve të banesave për kategoritë e dala nga lufta, si invalid lufte me 50% dëmtim. Madje, familja e tij ishte njoftuar për përfitimin, por, siç thotë, në 15 vite asnjëherë nuk i janë dorëzuar çelësat.
“Ironia është se në atë listë kanë përfituar edhe persona me vetëm 30% invaliditet. Së fundi, janë shpërndarë sërish banesa për kategoritë e luftës, por as Shoqata e Invalidëve, e as bashkëpartiakët e mi nuk më kanë njoftuar,” ka deklaruar Drenica.
Ai shprehet i zhgënjyer nga padrejtësitë e njëpasnjëshme:
“Kanë luajtur me ndjenjat e mia dhe të familjes sime. Nuk do të jem më pjesë e atyre që e shkelin borxhin ndaj gjakut dhe sakrificës.”
Drenica e justifikon mbështetjen për Imri Ahmetin duke përmendur veprat e tij, përfshirë ngritjen e shtatoreve të Komandantit Adem Jashari, Haradin Bajramit dhe Xhavit Kozhanit, si dhe sigurimin e banesave për disa familje të ish-luftëtarëve.
“Askush nuk ka bërë më shumë për dëshmorët dhe heronjtë e këtij vendi se ai. Këto janë vepra që më gëzojnë dhe më japin shpresë,” theksoi ai.