Bota e futbollit u trondit më 3 korrik 2025 nga lajmi tragjik i vdekjes së sulmuesit të Liverpoolit, Diogo Jota, dhe vëllait të tij, André Silva, pas një aksidenti automobilistik në Spanjë. Ndërsa homazhet dhe mesazhet e ngushëllimit vijojnë ende, një gjest solidariteti i jashtëzakonshëm ka ardhur nga klubi i Chelseat.
Sipas raportimit të The Athletic, Chelsea ka vendosur të dhurojë një pjesë të shpërblimeve të fituara nga Kupa e Botës për Klubet për familjen e dy futbollistëve portugezë.
Pas përfundimit të turneut në Shtetet e Bashkuara, “Blutë” kanë arkëtuar 98.1 milionë euro, ndërsa futbollistët e skuadrës kanë përfituar një shumë totale prej 13.3 milionë euro si shpërblim për suksesin. Secili lojtar ka marrë rreth 581,000 euro – një shumë që tashmë do t’i kalojë edhe familjes Jota-Silva, në një akt të ndjeshëm human.
Homazhet vazhdojnë: Liverpooli nderon legatën e Jotës
Nga ana tjetër, klubi i Liverpoolit ka vendosur të nderojë Diogo Jotën në mënyrë të përhershme.
Fanella me numrin 20, të cilën sulmuesi e kishte veshur që nga ardhja e tij në “Anfield”, është hequr zyrtarisht nga qarkullimi.
Për më tepër, në uniformën e re të sezonit do të vendoset një emblemë me mbishkrimin “Forever 20” si nderim për figurën e tij.
Gjithashtu, për nder të Jotës dhe të vëllait të tij, do të mbahet një minutë heshtje përpara ndeshjes së parë të sezonit të ri të Premier League, mes Liverpoolit dhe Bournemouth, të premten mbrëma në “Anfield”. /Informim.net