Një vendim i marrë nga Qeveria në detyrë e Kosovës ka hapur debat të ashpër politik, ligjor dhe moral. Të mërkurën, Ministria e Financave njoftoi se Mentor Hyseni, ish-kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, është emëruar drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) – një prej institucioneve më të rëndësishme të vendit.
Ky emërim po sfidohet nga njohës të çështjeve ligjore e ekonomike, të cilët paralajmërojnë se vendimi është i kundërligjshëm dhe cenon themelet e shtetit ligjor. Ata theksojnë se qeveria në detyrë nuk ka mandat të marrë vendime të tilla, sidomos për poste kyçe, duke iu referuar nenit 26 dhe 30 të Ligjit për Qeverinë.
Avokati Xhevdet Smakiqi e quan vendimin absolutisht të pavlefshëm juridikisht.
“Çdo vendim i nënshkruar nga një deputet i certifikuar bie ndesh me dispozitat ligjore dhe kushtetuese. Emërimi i sotëm është bërë në mënyrë të kundërligjshme dhe duhet të jetë objekt i padisë në gjykatë, si dhe i kallëzimit penal”, thotë ai, duke iu bërë thirrje opozitës të mos heshtë.
Kritikat nuk vijnë vetëm nga juristët. Ish-kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, e sheh këtë si pjesë të një zinxhiri vendimesh që po e minojnë integritetin e institucioneve.
“Nuk është morale, profesionale e as shtetërore të bëhen punësime nga një qeveri në detyrë. Kjo nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një mendësie politike që po dëmton vendin”, thekson ai.
Sipas Gërxhaliut, kapja e agjencive strategjike si ATK është “simbol i mjerimit institucional” dhe një problem që do ta trashëgojë qeveria e ardhshme.
Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, partia nga e cila vjen Hyseni, mohon se ky është një emërim me motive partiake, duke pretenduar se ka respektuar kriteret profesionale – pavarësisht se vendimi është marrë nga vetë ata në kushtet e një qeverie në detyrë.
Përveç reagimeve nga shoqëria civile dhe deputetët, deri tani nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret për ta kundërshtuar ligjërisht vendimin. Por fakti që Hyseni është jo vetëm ish-kandidat i VV-së, por edhe ish-kryetar i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit – ku ndaj tij ishte raportuar se ishte gjobitur për fshehje pasurie – e bën këtë emërim edhe më kontrovers.
Ky rast shton dyshimet se praktika e uzurpimit të institucioneve përmes vendimeve të qeverisë në detyrë po kthehet në normë, duke sfiduar jo vetëm ligjin, por edhe parimet themelore të demokracisë.