Valët e të nxehtit janë “një emergjencë shëndetësore, jo vetëm një emergjencë klimatike”, paralajmëron Komisioni Pan-Evropian për Klimën dhe Shëndetin i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Ky apel është dërguar në një letër drejtuar qeverive anëtare.
Sipas ekspertëve, Evropa po përjeton valë të nxehta gjithnjë e më të shpeshta, intensive dhe vdekjeprurëse. Gjatë njëzet viteve të fundit, vdekshmëria e lidhur me nxehtësinë është rritur me 30%, duke shkaktuar mbi 100,000 vdekje. Perspektiva nuk është inkurajuese: numri i vdekjeve pritet të rritet në vitet në vijim, nëse nuk merren masa kundër ndryshimeve klimatike.
“Temperaturat e larta po nxisin përhapjen e sëmundjeve që dikur ishin të rralla në rajon,” thekson Komisioni.
Të dhënat janë alarmante: rastet e etheve të dengës, të transmetuara në nivel lokal në Bashkimin Europian, u rritën me 368% midis viteve 2022 dhe 2024.
Sëmundje të tilla si Nili Perëndimor, Ethet e Verdha, Chikungunya, Gjuha Blu dhe rikthimi i malaries, siç raportohet në një artikull të L’Espresso-s, janë kërcënimet e reja shëndetësore të shkaktuara nga kjo klimë ‘e çmendur’.
Efektet ndihen edhe në ambientet spitalore: dhomat e urgjencës, shkruajnë ekspertët e OBSH-së, regjistrojnë një rritje të shtrimeve në spital gjatë valëve të të nxehtit, veçanërisht për sëmundjet e zemrës, mushkërive dhe veshkave.
Jo vetëm kaq: gjumi përkeqësohet, ankthi rritet dhe funksioni njohës dobësohet. Njerëzit me ndjeshmëri psikologjike janë edhe më të prekshëm.
Për më tepër, i nxehti ekstrem nuk bën dallime dhe prek edhe ata që punojnë në vijën e parë, duke u kujdesur për pacientët. Punonjësit e kujdesit shëndetësor janë në rrezik nga goditja nga nxehtësia dhe lodhja, ndërsa “sistemet në të cilat mbështeten, nga ftohja te teknologjia e informacionit, janë gjithnjë e më të ekspozuara ndaj rrezikut të dështimit dhe mosfunksionimit.”
Kjo situatë, thotë Komisioni në fund të apelit të tij, “nuk është e izoluar: ajo është sistematike dhe në rritje”.