Një tjetër moment krenarie për shqiptarët në futbollin ndërkombëtar! Sunderland AFC ka zyrtarizuar sot se mesfushori me origjinë shqiptare dhe pasaportë zvicerane, Granit Xhaka, do të mbajë shiritin e kapitenit për sezonin e ri 2025-26.
Në moshën 32-vjeçare, Xhaka konfirmon edhe një herë statusin e tij si lider i padiskutueshëm, duke u bërë pjesë e një tradite të lavdishme në klubin anglez.
Me një karrierë të pasur në Borussia Mönchengladbach, Arsenal dhe Bayer Leverkusen, si dhe si kapiten i kombëtares së Zvicrës me rekord prej 137 paraqitjesh, Xhaka sjell përvojë, disiplinë dhe karakter të fortë në zemër të skuadrës së Sunderlandit.
“Është krenari e jashtëzakonshme të jem kapiten i këtij klubi dhe i kësaj skuadre. Dua ta tregoj udhëheqjen time brenda dhe jashtë fushës, duke ndihmuar bashkëlojtarët në stërvitje dhe në çdo aspekt të klubit.
Të jem pjesë e historisë së Sunderlandit, krah emrave që kanë mbajtur këtë shirit para meje, është nder i madh.”
Granit Xhaka është më shumë se një futbollist – ai është simbol i përkushtimit, i karakterit dhe i krenarisë shqiptare në arenën botërore.
Emërimi i tij si kapiten në një klub me histori si Sunderland është dëshmi e respektit që ka fituar me punë të palodhur dhe lidership të natyrshëm.
Ky moment nuk është vetëm sukses personal – është një frymëzim për çdo të ri shqiptar që ëndërron të arrijë majat e sportit ndërkombëtar.