Dy qytetarë të Kosovës, Xhemajl Emini dhe Bashkim Emini nga Rahoveci, janë arrestuar sot nga autoritetet serbe, të cilat pretendojnë se ata kanë qenë pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës.
Këto pretendime janë hedhur poshtë nga kryetari i degës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Rahovec, Qemajl Krasniqi. Ai tha për Klankosova.tv se asnjëri prej tyre nuk ka qenë ndonjëherë pjesëtar i UÇK-së dhe nuk figurojnë në asnjë listë të tillë.
“Gjatë periudhës kur ata akuzohen për kryerjen e ndonjë krimi të supozuar, familjarët pohojnë se kanë qenë në Gjermani dhe nuk kanë pasur mundësi të angazhohen në vepra të tilla. Ndonëse nuk janë ish-pjesëtarë të UÇK-së, na vjen keq për traumat që po u shkaktohen atyre dhe familjeve të tyre,” u shpreh Krasniqi.
Ai e cilësoi veprimin e Serbisë si pjesë të “luftës speciale” ndaj Kosovës:
“Është e tmerrshme ajo që po bën shteti serb. Sa herë që pëson ndonjë goditje në aspektin diplomatik, Serbia e bart konfliktin në Kosovë dhe merret me ne,” tha ai.
Sipas Krasniqit, të arrestuarit janë “krejtësisht të pafajshëm” dhe po mbahen pa arsye. Ai shtoi se kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, është angazhuar menjëherë për lirimin e tyre.
“Këta qytetarë janë nga familjet më të mira në Rahovec, nuk njihen për probleme dhe po vuajnë padrejtësisht. Na vjen keq që do të përballen edhe me humbje financiare. Kryetari i komunës ka ndërmarrë hapa dhe ka kontaktuar me disa persona për këtë çështje. Kjo tregon se Serbia nuk ka ndërmend ta ndryshojë narracionin ndaj Kosovës, duke na mbajtur nën presion,” theksoi Krasniqi.