Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Oda Ekonomike e Britanisë në Kosovë, Lidhja e Bizneseve të Kosovës dhe Oda e Hotelerisë dhe Turizmit kanë shprehur shqetësim të madh për situatën e krijuar pas aktvendimit të Gjykatës Komerciale – Shkalla e Dytë.
Organizatat kërkojnë nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të rishqyrtojë procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike dhe të pezullojë planin për ndërprerjen e furnizimit me energji të bizneseve, i paralajmëruar për nisje më 16 gusht.
Sipas tyre, një masë e tillë do të shkaktonte pasoja serioze ekonomike, duke përfshirë:
ulje të numrit të të punësuarve,
rritje të çmimeve në treg,
rritje të importit dhe rënie të eksportit.
Shoqatat bëjnë të ditur se disa biznese tashmë e kanë ndërprerë aktivitetin, ndërsa të tjera po mbyllin reparte prodhimi. Gjithashtu, kompanitë po përballen me humbje financiare për shkak të kontratave me partnerët ndërkombëtarë, të cilat po realizohen nën kosto të prodhimit si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë.
Në komunikatë theksohet se bizneset nuk kundërshtojnë liberalizimin e tregut të energjisë, por mënyrën e implementimit nga ZRRE, e cila është bërë pa informim të plotë dhe me çmime të ofruara nga kompanitë e licencuara që janë shumëfish më të larta krahasuar me rajonin.
Shoqatat paralajmërojnë se po vazhdojnë konsultimet me bizneset për të vendosur mbi hapat e ardhshëm.