Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka ndarë përshtypjet e saj pas vizitës në Hagë, ku ka takuar ish-Presidentin Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarët tjerë që ndodhen në Hagë. Ajo ka theksuar se, ndonëse koha atje duket se ecën ngadalë, dinjiteti i tyre rritet çdo ditë.
Çitaku tregon se Thaçi dhe shokët e tij mbeten me kokën lart, shpirtin e pathyer dhe shikimin e kthjellët, pa u shmangur nga askush e asgjë. Sipas saj, kjo nuk është befasi, pasi ata nuk janë njerëz të zakonshëm — janë ata që kaluan kufirin me një ideal në zemër, nisën luftën kundër një makinerie shumë më të madhe dhe ndërtuan një shtet nga hiçi, duke i dhënë popullit lirinë dhe një të ardhme të sigurt.
Ajo thekson se kjo nuk ishte çështje fati, por rezultat i zgjedhjeve të guximshme dhe të drejta, sado të vështira. Edhe sot, në Hagë, ata nuk e shohin veten si viktima, por si burra të lirë që përballen me sfidat me po të njëjtin dinjitet si në betejat e para.
“Për ta, liria nuk ishte fjalë, por gjak; nuk ishte privilegj, por detyrë,” shkruan Çitaku, duke shtuar se ata vazhdojnë të sakrifikojnë, edhe pse nuk kanë mundësi t’u çojnë lule mbi varret e prindërve që i kanë mallë gjithë jetën.
Ajo përfundon me një mesazh shprese, duke theksuar se, ndonëse janë në paraburgim, nuk janë të robëruar:
“Muret nuk e ndalin dot frymën e lirë. E vërteta ecën më shpejt se çdo vendim gjykate. Liria, si dielli, gjithmonë gjen rrugën për të shpërthyer në dritë. Dhe po, dielli do të lind përsëri!”