Autoritetet spanjolle kanë njoftuar se kanë arrestuar të paktën 30 persona që dyshohet se janë përgjegjës për zjarret shkatërrimtare që po përfshijnë vendin prej fillimit të verës. Të enjten, Garda Civile spanjolle bëri me dije arrestimin e katër personave të tjerë, tre prej të cilëve në rajonin e Castilla y León, një nga zonat më të goditura nga flakët.
Një nga të ndaluarit, i arrestuar të martën, dyshohet se ka shkaktuar një zjarr të qëllimshëm që ka përfshirë mbi 2.200 hektarë pyje në zonat Cuevas del Valle, Mombeltrán dhe El Arenal. Kjo zonë në veriperëndim të Spanjës po përballet me një situatë alarmante, pasi deri më tani janë djegur rreth 40.000 hektarë.
Të enjten në mëngjes, një tjetër person u arrestua, pasi dyshohet se shkaktoi një zjarr kriminal nga pakujdesia, i cili dogji rreth 3.000 hektarë në Puercas de Aliste dhe Gallegos del Río, sërish në Castilla y León.
Një tjetër i dyshuar u ndalua të mërkurën, pasi dyshohet për zjarrvënie të paqëllimshme në zonën Filiel-Lucillo, ku u dogjën rreth dy hektarë tokë pyjore.
Pak orë më parë, Garda Civile kishte bërë publike edhe një tjetër arrestim në jug të Spanjës, pranë Málagas, ku një individ akuzohet për shtatë zjarre të ndryshme të ndodhura mes datave 19 korrik dhe 3 gusht.
Sipas autoriteteve, disa prej këtyre zjarreve u ndezën në afërsi të banesave, duke vënë në rrezik jetën e banorëve dhe duke shkaktuar dëme në katër hektarë tokë.