Plani i zbatimit të deklaratës për bashkëpunim ushtarak mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë pritet të finalizohet në shtator, duke konkretizuar një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe rritjen e sigurisë rajonale. Deklarata ishte firmosur më 18 mars në Tiranë nga ministrat e Mbrojtjes të tre vendeve.
Plani, ndër të tjera, përfshin edhe kontraktimin e përbashkët të armatimit, me synim një porosi unike nga të tria shtetet, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas njohësit të çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, kjo formë e kontraktimit e ul koston dhe përshpejton furnizimin. “Kur ka më tepër kërkesa për armatim, çmimi është më i favorshëm, por procedurat dhe miratimet nga SHBA janë të domosdoshme”, ka theksuar ai, duke shtuar se përveç blerjeve, bashkëpunimi do të shtrihet në stërvitje të përbashkëta, edukim dhe standardizim të armatimit sipas doktrinës së NATO-s.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka konfirmuar se më 18 korrik në Tiranë është mbajtur takimi i grupit zbatues për detajimin e planit.
“Një sistem armësh që të tria shtetet synojnë ta blejnë nga SHBA, do të porositet si një blerje e përbashkët, duke shfrytëzuar legjislacionin e secilit vend, por me sasi dhe afat dorëzimi të unifikuar”, ka sqaruar ai. Financimi do të bëhet me fonde kombëtare të secilit shtet.
Marrëveshja e marsit parasheh rritjen e ndërveprueshmërisë së ushtrive përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta, luftimin e kërcënimeve hibride dhe koordinimin e politikave për integrime euroatlantike.
Ish-zëvendësministri i Mbrojtjes, Bejtush Gashi, e ka cilësuar deklaratën si përgjigje të sinkronizuar ndaj ndryshimeve të mjedisit gjeostrategjik pas agresionit rus në Ukrainë dhe rritjes së kapaciteteve ushtarake të Serbisë.
Ai ka theksuar se për Kosovën kjo nismë përbën një mekanizëm joformal të mbrojtjes kolektive, në përputhje me nenin 4 të Kartës së NATO-s, duke e vendosur nën një ombrellë sigurie përmes Shqipërisë dhe Kroacisë, anëtare të Aleancës.
Sipas Gashit, marrëveshja synon tri objektiva strategjike: rritjen e interoperabilitetit të forcave të armatosura, krijimin e një kapaciteti rajonal për reagim ndaj krizave dhe kërcënimeve hibride, si dhe balancimin strategjik të fuqisë ushtarake në Ballkan.
Ai thekson rëndësinë e harmonizimit të procedurave komanduese dhe ushtrimeve të përbashkëta, që e afrojnë Kosovën me standardet e NATO-s dhe BE-së.
Reagimet nga Serbia pas nënshkrimit të deklaratës janë kundërshtuar nga nënshkruesit, të cilët theksojnë karakterin mbrojtës të marrëveshjes.
Ibishi ka kujtuar se Serbia ka qenë e para që ka prishur marrëveshjen e Dejtonit dhe ka rritur armatimin, ndërsa në vitin 2023 ka nënshkruar marrëveshje mbrojtjeje me Hungarinë.
Deklarata e Tiranës parashikon mundësinë e zgjerimit të aleancës me shtete të tjera, dhe është bërë e ditur se Bullgaria ka marrë ftesë për t’iu bashkuar. Shqipëria dhe Kroacia janë anëtare të NATO-s, ndërsa Kosova mbetet aspirante, me sfidën e mosnjohjes nga katër shtete të Aleancës.