Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës aktakuzën e parë për dëbimin e civilëve shqiptarë gjatë luftës së vitit 1999. Kryeprokurori Blerim Isufaj bëri të ditur në një konferencë për media se aktakuza ngre padi ndaj 21 të pandehurve për krime lufte kundër popullatës civile, por për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk janë zbuluar emrat e tyre.
Sipas Isufajt, aktakuza është ngritur në mungesë të të pandehurve, por mbështetet në prova të forta të mbledhura gjatë disa viteve hetime intensive. Ai e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë dhe përgjegjësisë për vuajtjet e shkaktuara gjatë luftës.
Prokurori i rastit, Atdhe Dema, shpjegoi se aktakuza lidhet me ngjarje të ndodhura midis janarit dhe qershorit 1999 në territorin e Kosovës, ku të pandehurit – në cilësinë e komanduesve me kontroll dhe autoritet efektiv mbi forcat e armatosura të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Policinë e Serbisë – dyshohet se kanë lejuar dhe nuk kanë penguar veprime të ndaluara nga e drejta ndërkombëtare humanitare.
Këto veprime përfshijnë shkatërrimin sistematik të pronës civile, djegien e shtëpive e infrastrukturës, sulmet ndaj civilëve dhe vendbanimeve të tyre, përndjekjen e ndalimet arbitrare për arsye etnike, si dhe dëbimin e detyruar masiv të popullsisë shqiptare drejt shteteve fqinje. Sipas statistikave zyrtare, fushata ka rezultuar me zhvendosjen e rreth 863 mijë civilëve shqiptarë.
Dema theksoi se të pandehurit kanë dështuar të ndërmarrin masa për parandalimin e krimeve, ndëshkimin e autorëve dhe raportimin e tyre tek autoritetet më të larta, pavarësisht kompetencave ligjore dhe funksionale që kishin.
Aktakuza është ngritur në bazë të nenit 142 të Ligjit Penal të ish-Republikës Federale të Jugosllavisë dhe në harmoni me të drejtën ndërkombëtare humanitare, përfshirë Konventat e Gjenevës dhe protokollet shtesë. Prokuroria deklaroi se hetimet kanë qenë të pavarura, profesionale dhe të mbështetura në prova konkrete, duke riafirmuar përkushtimin për zbardhjen e plotë të së vërtetës dhe sigurimin e drejtësisë për viktimat.
Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, Prokuroria nuk dha detaje shtesë dhe kërkoi mirëkuptimin e mediave. Dema po ashtu bëri të ditur se për të pandehurit ekziston një urdhërarrest ndërkombëtar, por deri më tani ata mbeten të paarritshëm për organet e drejtësisë.