185 vende të mbledhura në Gjenevë kanë dështuar të bien dakord, gjatë natës së të enjtes në të premten, për një tekst detyrues për të luftuar ndotjen nga plastika – një fenomen që po përkeqësohet në shkallë globale.
“Nuk do të kemi një traktat për ndotjen plastike këtu në Gjenevë”, përmblodhi përfaqësuesi i Norvegjisë gjatë një seance plenare në agim të së premtes. Pak më herët, India dhe Uruguai kishin nënvizuar mungesën e aftësisë së negociatorëve për të arritur një konsensus.
Një tekst i ri kompromisi u paraqit në mesnatën mes të enjtes dhe të premtes, por përmbante ende më shumë se njëqind pika që kërkonin sqarim, pas dhjetë ditësh negociatash intensive. Megjithatë, krerët e delegacioneve, të mbledhur në një sesion informal, nuk arritën një marrëveshje. E ardhmja e negociatave mbetet e pasigurt për momentin.
Uganda ka kërkuar që të zhvillohet një seancë tjetër negociatash në një datë të mëvonshme, ndërsa Komisionerja Evropiane për Mjedisin, Jessika Roswall, vlerësoi se bisedimet në Gjenevë kanë krijuar një “bazë të mirë” për të vazhduar diskutimet në të ardhmen.
Diplomati ekuadorian Luis Vayas Valdivieso, i cili ka drejtuar edhe negociatat e mëparshme të dështuara në Busan të Koresë së Jugut në fund të vitit 2024, pritet të mbajë një konferencë të shkurtër për shtyp, sipas burimeve të OKB-së. Metoda dhe procesi i tij i negociatave janë kritikuar ashpër, edhe pse shpesh në mënyrë anonime, gjatë gjithë kësaj faze në Gjenevë.
Negociatat zyrtarisht u quajtën CNI5-2, dhe nisën më 5 gusht në Gjenevë, për të përfunduar më 14 gusht në mesnatë. Por mbeten ndarje të thella mes dy blloqeve kryesore.
Në njërën anë janë vendet “ambicioze” si Bashkimi Evropian, Kanadaja, Australia, shumica e vendeve të Amerikës Latine, Afrikës dhe shumë shtete ishullore, të cilat kërkojnë të redukojnë prodhimin global të plastikës dhe të pastrojnë planetin nga ndotja që po dëmton edhe shëndetin e njeriut.
Në anën tjetër janë shtete kryesisht prodhuese të naftës, të cilat refuzojnë çdo kufizim për prodhimin e hidrokarbureve – që janë në bazë të industrisë plastike – dhe kundërshtojnë çdo ndalim të molekulave ose aditivëve të rrezikshëm që përdoren në prodhimin e plastikës.