Projekte milionëshe dështuan – por jo rruga pranë “livadheve të babait” të Hysen Durmishit

by engel

Ndërsa dhjetëra projekte të mëdha infrastrukturore kanë ngecur ose dështuar në gjysmën e parë të vitit, një projekt i veçantë i Ministrisë së Infrastrukturës ka shënuar përparim rekord: rruga Mushtisht–Shtërpcë, që sipas raportimeve kalon pranë një prone trehektarëshe në emër të babait të zëvendësministrit në detyrë, Hysen Durmishi.

Të dhënat e buxhetit 6-mujor të këtij viti, të siguruara nga “FrontOnline”, tregojnë se nga 1.5 milionë euro të planifikuara për këtë rrugë, mbi 1.1 milionë janë shpenzuar vetëm në gjashtë muajt e parë – duke e bërë atë një nga projektet me shkallën më të lartë të realizimit në ministri. Punimet janë zhvilluar me intensitet të pazakontë, ndryshe nga dhjetëra projekte të tjera të rëndësishme që kanë mbetur në letër.

banner

Kjo rrugë lidh Mushtishtin e Suharekës me Brezovicën, dhe sipas një raportimi të vitit 2021 nga portali “Paparaci”, kalon pranë një parcele të babait të zëvendësministrit. Toka prej tre hektarësh, e vendosur mes Mushitishtit dhe Brezovicës në zonën e Dollcit, ishte blerë rreth një dekadë më parë nga disa figura të Lëvizjes Vetëvendosje, por ishte regjistruar në emër të Ilaz Durmishit për “arsye praktike”.

Durmishi ka mohuar kategorikisht çdo lidhje mes projektit dhe pronës së familjes, duke e cilësuar distancën prej “një kilometri e gjysmë apo dy kilometra” si “të largët” dhe duke këmbëngulur se rruga është regjionale, jo lokale. Megjithatë, ai e ka përshkruar projektin si “me interes të veçantë” dhe nuk ka fshehur faktin se pronësia e babait të tij është e deklaruar publikisht në pasurinë e tij.

Lista e projekteve të dështura

Përderisa rruga pranë vendlindjes së tij ecën me shpejtësi rekord, projekte të tjera me vlera shumë më të mëdha kanë stagnuar krejtësisht:
Ura në Veternik mbi Rrugën A, Prishtinë – buxhet 2 milionë euro, 0 euro të shpenzuara në 6 muaj.
Rruga Nacionale Prishtinë–Gjilan–Konçul – buxhet 20 milionë euro, vetëm 928 mijë euro shpenzuar (5%).
Projektet e bashkëfinancimit me komunat – buxhet 3 milionë euro, 0 euro të shpenzuara.
Teleferiku Prizren – buxhet 1 milion euro, 0 euro të shpenzuara.
Qarkorja e Gjakovës – buxhet 1 milion euro, 0 euro të shpenzuara.
Sinjalizimi i autostradave R6–R7 – buxhet 1 milion euro, 0 euro të shpenzuara.

Bilanci i gjashtëmujorit tregon një kontrast të fortë: projekte të rëndësishme për qarkullimin dhe zhvillimin e vendit mbeten të paralizuara, ndërsa një aks që kalon pranë pronave të lidhura me familjen e zyrtarit përparon me hov të pazakonshëm.

Kjo situatë ngre pyetje të ashpra për prioritetet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe mënyrën se si menaxhohet buxheti publik – nëse është në shërbim të gjithë qytetarëve apo vetëm i disa rrugëve “të veçanta”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy